
Teatri “Migjeni” i Shkodrës mikpriti aktoret e njohura të skenës shqiptare, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo, Zamira Kita dhe Rudina Dembacaj, të cilat sollën për publikun shkodran shfaqjen “7 Minuta” të autorit italian Stefano Massini.
Regjisorja Driada Dervishi theksoi se kjo shfaqje nuk i flet vetëm grave, por çdo qytetari që ndjen cenimin e dinjitetit në vendin e punës.
Drama, e vendosur në një fabrikë tekstili, sjell në qendër dilemën e 11 grave punëtore, të cilat përballen me një kërkesë të pazakontë: të heqin dorë nga 7 minuta të pushimit të tyre. Një vendim i vogël në pamje të parë, por që ngre pikëpyetje të mëdha mbi të drejtat, dinjitetin dhe solidaritetin në vendin e punës. Emocionet që dhuroi publiku shkodran ishin tepër të veçanta për disa nga aktoret protagoniste.
E konceptuar si një shfaqje që ngre vetëdijen qytetare, “7 Minuta” do të vijojë turin e saj edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.






