Tregu i punës në Shqipëri po jep sinjale të dobëta rikuperimi. Vetëm në tremujorin e parë të vitit dolën të papunë 56 mijë qytetar të grupmoshës 15-64 vjeç sipas të dhënave të INSTAT. Papunësia në këtë periudhë të parë të vitit arriti nivelin e karantinës, edhe pse treguesit ekonomik të këtij viti janë në përmirësim të dukshëm me ato të 2020.

Sipas statistikave numri i punëkërkuesve të regjistruar pranë zyrave të punës si të papunë ka arritur në shifra të larta që prej vitit 2018, kur janë edhe raportimet e para të INSTAT për këto tregues.

Konkretisht janë 94.976 persona të regjistruar si punëkërkues deri në fund të muajit mars 2021, nga 70.524 persona që ishte në të njëjtën kohë të vitit të kaluar, pra janë regjistruar mbi 24 mijë persona më shumë.

Nga kjo kategori pjesa më e madhe prej 29,579 janë punëkërkues që trajtohen me ndihmë ekonomike. Grupmosha më e prekur nga papunësia është 16-29 vjeç të cilët kryesisht janë të punësuar në sektorin e shërbimeve që është edhe më i prekuri nga pandemia COVID-19.

Sipas të dhënave janë 21,955 persona të grupmoshës 15-29 vjeç të regjistruar si punëkërkues në tremujorin e parë të këtij viti nga 14,611 qytetar që ishte në të njëjtin tremujor në vitin që shkoi.

PUNËKËRKUES TË REGJISTRUAR

Janar-Mars 2020 70.524 persona

Janar-Mars 2021 94.976 persona

Diferenca -24.452 persona

PUNËKËRKUES ME NDIHMË EKONOMIKE

Janar-Mars 2020 22.780 persona

Janar-Mars 2021 29.579 persona

Diferenca +6,799 persona

PUNËKËRKUES TË MOSHËS 16-29 VJEÇ

Janar-Mars 2020 14,611 persona

Janar-Mars 2021 21,955 persona

Diferenca +7.344 persona