Muaji qershor është mbyllur me 5 viktima nga COVID-19 ndërsa në spitalin Covid 1 prej më shumë se një jave nuk ka mbërritur asnjë urgjencë dhe në pavijon ndodhet vetëm një person i shtruar.

Në buletinin e datës 30 qershor ministria e shëndetësisë raporton 7 raste të reja pozitive me COVID-19 dhe po aq persona të shëruar, duke lënë të pandryshuar numrin e përgjithshëm të rasteve aktive, 56 të infektuar në total.

Ajo që bie më shumë në sy është numri shumë i madh i testimeve në raport me infektimet. Sipas të dhënave zyrtare gjatë gjithë muajit qershor janë kryer 84.741 testime, shifër rekord që ia kalon edhe periudhës së pikut të pandemisë, shkurt 2021 nga ku kanë rezultuar pozitiv 206 shtetas me një shkallë pozitiviteti minimaliste 0.2%, ose 1 në 411 teste i infektuar me COVID-19.

Shifrat zyrtare që raporton qeveria dëshmojnë se pandemia në Shqipëri po shkon drejt shuarjes ku përhapja e infeksionit në popullatë llogaritet në 2 raste pozitive për 100 mijë banorë.

Por pavarësisht treguesve tejet pozitiv qeveria çuditërisht vijon të mbajë në fuqi orën policore si dhe ndalimin e muzikës në bare dhe restorante pas orës 22:00 të mbrëmjes. Ky qëndrim ka ngjallur indinjatën e operatorëve turistikë si dhe pronarëve të lokaleve që kërkojnë nga qeveria zhbërjen e masave bllokuese që sipas tyre po dëmtojnë turizmin sezonal.

Artikulli paraprakRAMA: NGA JANARI 146 MLN EURO PËR FERMERËT. ME DRONË INTELIGJENTË DO MBLEDHIM INFORMACION MBI TOKËN E PUNUAR
Artikulli tjetërNDRYSHIME NË QEVERI, LIROHEN NGA DETYRA DY ZËVENDËS MINISTRA