Në zonën turistike të Shirokës janë shënuar sërish raste të vjedhjes së kabullit të energjisë elektrike. Mbrëmjen e së premtes bëhet me dije se 300 m kabull elektrik nga vjedhur nga shtyllat përgjatë rrugës në Shirokë ndërkohë që akoma nuk është bërë identifikimi I personave përgjegjës.

Fotografitë e mbërritura në redaksinë e Star Plus tregojnë dëmtimin që I është bërë shtyllave elektrike për të vjedhur kabullin gjatë natës kur lëvizja e automjeteve është edhe më e vogël. Në fakt ky është një gjest skandaloz dhe aspak qytetar në një pikë turistike siç është Shiroka ku edhe gjatë natës ka raste kur lëvizja është e konsiderueshme qoftë e mjeteve, këmbësorëve por edhe atyre që lëvizin me biçikleta.

Lënia në errësirë e atij segmenti rrugor për shkak të vjedhjes së kabullit mund të bëhet shkak edhe për aksidente rrugore gjatë orëve të mbrëmjes duke qenë se rreziku për një gjë të tillë është i madh. Kjo nuk është hera e parë që një situatë e tillë regjistrohet në zonën turistike të Shirokës.

Tashmë duhet që bashkia Shkodër të mundësojë blerjen e kabullit për atë segment që ka mbetur në errësirë për të rikthyer ndriçimin e rrugës. Nga ana tjetër bashkia Shkodër shpesh herë ka bërë denoncime lidhur me këto ngjarje të dëmtimeve të mjediseve publike por thuajse asnjëherë nuk është arritur identifikimi dhe gjetja e autorëve të cilët shkaktojnë këto dëme.