Banorët e fshatit Shirq janë zgjuar me frikën shtëpitë e tyre mund të përmbyteshin nga uji. Ata kanë parë ujin që vërshonte pasi argjinatura e fshatit u ça nga rrjedha e ujit të lumit Buna. Në fshatin Shirq kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi u përfshi në një debat me ministrin e mbrojtjes Niko Peleshi lidhur me këtë situate.

Më herët kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi tha se ka paralajmëruar për rrezikun e çarjes së argjinaturës në fshatin Shirq por nuk është marrë asnjë masë nga bordi i kullimit.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ndryshe nga kryebashkiakja Ademi tha se nuk ishim lajmëruar më herët për argjinaturën e fshatit Shirq.

Argjinatura e fshatit Shirq në Dajç u mbyll në mënyrë provizore me çakull, gurë të medhenj dhe inerte pas koordinimit nga Prefektura e Qarkut Shkodër në këtë situatë të rrezikshme ndërsa pasi uji të tërhiqet dhe situata të normalizohet aty nevojitet një investim në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta situatë.