Një orë që mendohet se i përkiste ish-diktatorit nazist, Adolf Hitler është shitur në ankand në SHBA për 1.1 milion dollarë (900,000 £).

Ora Huber, e cila i është shitur një ofertuesi anonim, tregon një svastikë dhe ka inicialet AH të gdhendura në të.

Udhëheqësit hebrenj e dënuan ankandin përpara shitjes në Alexander Historical Auctions në Maryland.Megjithatë, shtëpia e ankandeve, e cila ka shitur relikete naziste edhe më herët, u tha mediave gjermane se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë.

Adolf Hitleri udhëhoqi Gjermaninë naziste midis 1933 dhe 1945, duke orkestruar vrasjen sistematike të rreth 11 milionë njerëzve, gjashtë milionë prej të cilëve u vranë sepse ishin hebrenj.

Katalogu i produkteve për orën thotë se ajo mund t’i ishte dhënë si dhuratë ditëlindjeje liderit nazist në vitin 1933, vitin kur ai u bë kancelar i Gjermanisë. Një vlerësim nga shtëpia e ankandeve thotë se ora u mor si një suvenir kur rreth 30 ushtarë francezë sulmuan Berghof, vendstrehimi malor i Hitlerit në maj 1945. Më pas mendohet se ingranazhet e orës janë rishitur dhe kanë kaluar nëpër disa breza deri më tani.

Artikuj të tjerë në ankand përfshinin një fustan që i përkiste gruas së Hitlerit, Eva Braun, foto me autograf të zyrtarëve nazistë dhe një pëlhurë të verdhë Ylli i Davidit të shtypur me fjalën “Jude”, që është gjermanisht për hebre. Gjatë holokaustit, nazistët i detyruan hebrenjtë të mbanin identifikuesit e verdhë si shirita ose distinktivë, me qëllimin për t’i izoluar dhe ngacmuar ata.

Një letër e hapur e nënshkruar nga 34 liderë hebrenj e përshkroi shitjen si “të neveritshme” dhe bënte thirrje që sendet naziste të tërhiqeshin nga ankandi.Rabini Menachem Margolin, kryetar i Shoqatës Europiane të Hebrenjve tha se transaksioni u dha “ndihmë atyre që idealizojnë atë që përfaqësonte partia naziste”.

“Ndërsa është e qartë se mësimet e historisë duhet të mësohen dhe artefaktet legjitime naziste u përkasin muzeumeve ose vendeve të arsimit të lartë, artikujt që po shitni qartë se nuk i përkasin”, shkroi ai.

Duke folur për shtypin gjerman përpara shitjes, Alexander Historical Auctions tha se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë dhe se shumica e artikujve të shitur mbahen në koleksione private ose iu dhurohen muzeumeve të Holokaustit.

“Qoftë histori e mirë apo e keqe, ajo duhet të ruhet”, tha për Deutsche Ëelle nënpresidentja e lartë Mindy Greenstein. “Nëse e shkatërron historinë, nuk ka asnjë provë që ka ndodhur”.

Dokumentet e ofruara nga shtëpia e ankandeve thonë se ajo nuk mund të sigurojë prova se Hitleri në të vërtetë e mbante orën. Por një vlerësim nga një specialist i pavarur doli në përfundimin se “me të gjitha gjasat” i përkiste atij.Pavarësisht se ora ka arritur mbi 1 milion dollarë, ajo nuk ka arritur në vlerësimin e shtëpisë së ankandit prej 2 deri në 4 milion dollarë, raportoi Deutsche Welle.

Artikulli paraprakKATEDRALJA NOTRE DAME NË PARIS DO TË RIHAPET NË VITIN 2024
Artikulli tjetërU SHPALL EMERGJENCË SHËNDETËSORE GLOBALE, SHËNOHET VIKTIMA E PARË NGA LIJA E MAJMUNIT NË SPANJË