Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari.

Vendimi i zgjeruar pritet të dalë pas disa javësh, por vlerësohet se ai erdhi prej pasurive të pajustifikuara të zonjës Hajdari dhe pas revokimit të dy vizave amerikane për udhëtime drejt SHBA-ve.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, u pyet të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për transaksionet me prona, për ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për bilancin negativ në pasurinë, që shkon në rreth 500 mijë dollarë.

Në Komision u përmendën një sërë pasurish që nuk ishin deklaruar asnjëherë. Po ashtu, zonja Hajdari u vlerësua pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rivlerësimi për zonjën Hajdari u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.

Ajo ka të drejtën e ankimit në Komisionin e Pavarur të Apelimit. Sipas treguesve të deritanishëm, asnjë person, që është ankuar në KPA për shkarkimin, nuk e ka ndryshuar dot rezultatin, pasi standarti i KPA-së, sidomos përsa i takon pasurive të pajustifikuara, është shumë më i rreptë se sa ai i KPK.

Fatmira Hajdari nisi karrierën në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, dhe pas 10 vjetësh, më 2013 u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.