Kuvendi ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Kuvendi votoi në seancën plenare të 9 qershorit për shkarkimin e Presidentit Meta, me 104 vota pro, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Tashmë, vendimi i Kuvendit do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose të Ilir Metës.

Nga ana e tij, ky i fundit nuk e ka përfillur vendimin për shkarkim të shumicës parlamentare, duke u shprehur se do të vazhdojë të jetë President deri më 22 korrik të vitit 2022, datë kur i mbaron mandati.

Çfarë parashikohet në ligj?

Konkretisht ne nenin 61 të këtij ligji parashikohet se për deklarimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me vendimin e Kuvendit, që ka votuar shkarkimin nga detyra. Sipas ligjit vendimi i Kuvendit duhet të përmbajë përshkrim të argumentuar të shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të krimit të rëndë, si dhe të shoqërohet me provat përkatëse.Kushtetuesja ka detyrimin që këtë vendim dhe provat t’ia vërë në dispozicion Ilir Metës, i cili gëzon të drejtën të japë me shkrim argumentat që ai i çmon të nevojshme. Bazuar në nenin 62 të ligjit, me shumicën e anëtarëve të saj vendos kalimin e çështjes në seancë publike. Në këtë seancë ftohet të marrë pjesë Presidenti, i cili mund të përfaqësohet nga një avokat.Sipas ligjit mungesa e Kreut të Shtetit apo avokatit të tij pa arsye nuk përbën pengesë për zhvillimin e gjykimit. Pasi shqyrton çështjen dhe arrin përfundimin se Presidenti ka shkelur kushtetutën, gjyqtarët kushtetues deklarojnë shkarkimin e tij nga detyra. Ky vendim hyn në fuqi ditën e shpalljes.

Gjyqtarët kushtetues e shfuqizojnë vendimin e Kuvendit, nëse nuk arrijnë në përfundimin se ai ka shkelur aktin themeltar të Shtetit. Në rastet kur çështja është në gjykim, dorëheqja e kreut të shtetit nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të çështjes.

Po sa afat ka Kushtetuesja për të shqyrtuar këtë vendim të Kuvendit? Neni 47 i ligjit parashikon afatet për shqyrtimin e çështjes. Referuar këtij shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës. Në momentin që çështja shqyrtohet në seancë plenare Kushtetuesja e shpall të arsyetuar vendimin përfundimtar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës.

Artikulli paraprakLULZIM BASHA FITON MANDATIN E 3, SHPALLET ZYRTARISHT FITUES I GARËS NË PD! GJANA: KANË VOTUAR 41,097 ANËTARË, 413 VOTA TË PAVLEFSHME
Artikulli tjetërAMBASADORJA YURI KIM SURPRIZOHET GJATË VIZITËS NË KISHËN E SHNA NDOUT: NUK E KISHA MENDUAR KURRË QË DO TË GJEJA KËTU SHËN ANTONIN