Presidenti Ilir Meta ka reaguar për nismën e shkarkimit të iniciuar nga Partia Socialiste duke e cilësuar si ‘’shashkë’’. Kreu i shtetit thotë se momentalisht të gjithë duhet të përqëndrohen tek përmbyllja e procesit zgjedhor pasi asgjë s’ka përfunduar. Ja se çfarë shkruan Presidenti Meta në reagimin e tij të plotë:

“Të përqëndrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka përfunduar! Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit. Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund. Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore!”

Partia Socialiste ka konkretizuar nismën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta që të premten e javës së kaluar. Mësohet se PS ka mbledhur deri më shumë se 50 firma për shkarkimin e Metës. Kjo nismë do bëhet pjesë e kalendarit të punës së Kuvendit. Kjo nismë për shkarkimin e Presidentit Meta nisi pas fitores së PS në zgjedhjet e 25 prillit.

Vetë Kreu i Shtetit deklaroi gjatë fushatës elektorale se nëse PS fitonte zgjedhjet pa vjedhje votash, do të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit. Pas zgjedhjeve, Meta nuk dha dorëheqjen, por kërkoi të hetohen mbi 83 mijë votat e pavlefshme.

Hapa që do ndiqen pas depozitimit të kërkesës në Parlament nga deputetët e PS janë séance dëgjimore me kreun e shtetit tek Komisioni Hetimor Parlamentar, raporti që i kalon Kuvendit dhe më pas 94 votat që duhen për të vendosur për shkarkimin ose jo të Metës si President.

Ndërkohë nuk mbetet me kaq, sepse është Gjykata Kushtetuese funksionale ajo që do të japë vendimin final. Kjo është hera e dytë që PS inicion shkarkimin e Metës, kur nga e para u tërhoq pas qëndrimin të Komisionit të Venecias. Kësaj radhe mazhoranca akuzon Presidentin për shkelje kushtetuese gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.