Shkarkohet Drejtori i Hipotekës në Shkodër, u përfshi në fushatë

Ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi ka shkarkuar sot nga detyra Regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër Mondi Ndou, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor. Ministria e Drejtësisë sqaron përmes një njoftimi për shtyp se “shkarkimi erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e Mondi Ndou, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin”. “Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Mondi Ndou, me detyrë Regjistrues në ZRPP Shkodër, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal. Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Aktualisht, falë bashkëpunimit me qytetarët, Ministria e Drejtësisë ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit. Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për cdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Artikulli paraprakHELMIMI NË MITING, MBYLLET HETIMI PËR PROZHEKTORËT, PËRGJIGJJA PËR 48 ORË
Artikulli tjetërBASHA FALENDERON PUBLIKISHT DEPUTETËT QË PËRFAQËSUAN SHKODRËN NË PARLAMENT