Ashtu siç ka paralajmëruar “Star Plus” para pak ditëve në drejtoritë rajonale të Shkodrës ka nisur rrokada. I pari që shkarkohet është drejtori rajonal i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Gasper Volaj nuk do jetë më drejtor i OSHEE në Shkodër. Shkarkimi i tij është bërë nga drejtoria qëndrore në Tiranë. Volaj u emërua si drejtor i OSHEE në fillim të marsit të këtij viti dhe pa kaluar 7 muaj shkarkohet për t’i lënë vendin një tjetër drejtori.

Burime për “Star Plus” bëjnë me dije se aktualisht askush nga Shkodra nuk ka pranuar që të bëhet drejtor rajonal i OSHEE edhe pse ka patur propozime për shkak se drejtori i ri do të duhet që të bëjë një rrokadë edhe tek punonjësit. Në këto kushte atyre që i është propozuar nuk kanë pranuar. Të gjendur në këtë situata zyra qëndrore e OSHEE ka bërë një zgjidhje të shpejtë duke komanduar nga Tirana një emër të panjohur për Shkodrën. DREJTORI I RI RAJONAL I OSHEE NË SHKODËR ERSI SULEJMANI Kështu kreu i ri rajonal i operatorit të sistemit të shpërndarjes do të jetë Ersi Sulejmani i cili vjen nga Tirana. Tashmë duhet pritur nëse drejtori i ri do të ketë një dorë të hekurt dhe se a do të vijohet me shkarkime të punonjësve. Ende nuk dihen arsyet reale të shkarkimit t ëish-drejtorit tashmë Gaspër Volaj i cili në marsin e këtij viti zëvendësoi Gledis Çelikun. Pas drejtorisë arsimore OSHEE është e dyta që nuk po gjen qetësi me drejtuesit e saj duke i shkarkuar dhe emëruar herë pas here. Burime nga radhët e socialistëve po ashtu tregojnë se në ditët në vijim brenda datës 10 tetor të këtij viti, pra për 9 ditë pritet që të ketë edhe shkarkime të drejtorëve të tjerë në drejtoritë rajonale, një urdhër ky i kryeministrit Edi Rama që mbase lidhet edhe me riorganizimin dhe procesin e zgjedhjeve që kanë nisur edhe në partinë socialiste të Shkodrës. Përtej këtyre lëvizjeve të papritura, natyrisht që në qytetin e Shkodrës por mbase edhe në radhët e socialistëve nuk sjellin një situatë të ngrohtë. Tashmë të presim të shkarkuarin e radhës.