23 persona nga 5 shtete të Europës janë arrestuar si pjesë e një grupi ndërkombëtar të vjedhjes dhe vandalizimit të trashëgimisë kulturore italiane.

Banda kriminale gërmonte për sende të çmuara të periudhës antike greke dhe romake. Vlera e sendeve të konfiskuara prej tyre arrin në miliona euro.

Policia europiane ka goditur një bandë kriminale ndërkombëtare të specializuar në vjedhjen dhe trafikimin e sendeve me vlera arkeologjike.

Operacionet në pesë vende, si Italia, Franca, Britania, Gjermania dhe Serbia çuan në arrestimin e 23 personave dhe në konfiskimin e 10 mijë sendeve antike me vlerë disa milionë euro.

Grupi i drejtuar nga dy qytetarë të Kalabrisë ishte vënë nën përgjim prej vitit 2017 dhe operonte kryesisht në jug të Italisë.

Në vëmendjen e tyre ishin vendet ende të paeksploruara nga arkeologët, mes tyre zona që datonin nga shekulli i 4-t dhe 5-të para erës së re.

“Për gërmimin klandestin të vendeve arkeologjike përdoreshin edhe ekskavatorë. Pjesa e gërryer brutalisht më pas analizohej me detektorë metalesh,” njoftoi të hënën policia italiane.

Sendet me vlera historike dhe artistike si vazot prej qeramike, llambat me vaj, pjatat e vizatuara dhe argjendurina të tjera tregtoheshin më pas nëpërmjet sekserëve në Londër, Mynih, apo në qytetin e Vërshacit në Serbi.

Një operacion i policisë italiane dhe zvicerane në vitin 2016 do të zbulonte sende të ngjashme antike me vlerë gati 9 milionë euro në pronësinë e një tregtari britanik.

Artikulli paraprakQËLLOI ME ARMË MAKIËN E XHAXHAIT, ARRESTOHET I RIU NË PEZË
Artikulli tjetërDETAJE TË REJA NGA HISTORIANI QË VRAU TË DASHURËN 40 VJET MË TË VOGËL