Policia italiane e qytetit të Kremonës ka shkatërruar një organizatë kriminale që merrej me trafikun ndërkombëtar të qënieve njerëzore.

Kjo organizatë me bazë në Milano ishte e përbërë nga shtetas egjiptianë, shqiptarë, sudanezë e afganë. Nën pranga janë vënë 18 anëtarë të saj, 3 prej të cilëve shtetas shqiptarë. Personat e arrestuar janë banues në qytetet: Milano, Imperia, Genova, Reggio Emilia, Torino, Varese, Mantova, Pistoia, Reggio Calabria, Catania e Ventimiglia. Hetimet e këtij operacioni kanë nisur rreth 2 vite më parë e kanë vërtetuar se kundrejt një shume parash e paguar nga çdo emigrant , kjo organizatë realizonte transportin e tyre nga Italia drejt vendeve të Europës Veriore.

Emigrantët ishin kryesisht sirianë, sudanezë, egjiptianë e nga Eritrea, Kjo organizatë drejtohej nga shtetas egjiptianë që mbanin kontakte të drejtëpërdrejta me skafistët e trafikantët që sjellin çdo ditë në brigjet e Puglias e të Siciliës, refugjatë të nisur nga Afrika e Veriut. Ata informoheshin në kohë për çdo zbarkim të emigrantëve, e pas kontaktit të menjëheshëm me ta i shoqëronin në qytetin e Milanos, aty ku kjo organizatë kishte dhe bazën e saj operative.

Më pas realizohej udhëtimi i emigrantëve drejt Europës së Veriut. Hetimet e policisë së Kremonës kanë verifikuar rreth 62 udhëtime të tilla. Udhëtimet kryheshin gjithmonë gjatë natës me automjete të tipit kamionë, furgonë apo dhe makina të thjeshta. Kundrejt një sasie parash refugjatët sistemoheshin e fshiheshin në këto automjete sikur të ishin mallra transporti e shpesh mbylleshin në kutia druri apo në bagazhe. Shtetasit shqiptarë anëtarë të kësaj organizate kriminale, të arrestuar nga Policia italiane janë ; Gazmir Ismailaj 33 vjeç, lindur në Vlorë, Redon Shametaj 22 vjeç lindur në Vlorë dhe Neri Shametaj.

Artikulli paraprakTRAFIKU NDËRKOMBËTAR I DROGËS, SEKUESTROHEN 450 KG KANABIS
Artikulli tjetërTRUMP SHKARKON PROKUROREN E PËRGJITHSHME NË DETYRË