Votimi për primaret në Shkodër të grupit të rithemelimit të PD është mbyllur me pjesëmarrjen e rreth 1600 votuesve. Bardh Spahia u shpall si më i votuari me 1011 vota në total dhe do të jetë ai tashmë kandidati i grupit të rithemelimit të PD në zgjedhjet vendore të 6 marsit për bashkinë Shkodër. Sa i përket kandidatëve të tjerë Irena Shestani mori 295 vota në këtë proces, Astrit Bushati 246 vota dhe Irma Kopliku 49 vota.

Në këtë garë ishin edhe dy kandidatë të tjerë Arben Maliqi dhe Alfred Koçobashi të cilët morën një numër më të vogël votash se katër kandidatët e tjerë. Kështu fituesi i kësaj gare Bardh Spahia fito me një diferencë prej 716 votash me kandidaten që u rendit e dyta. Ndërkohë që në këtë proces morën pjesë afro 1600 votues, në referendumin e grupit të rithemelimit për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD, në degën Shkodër morën pjesë 2801 votues, pra 1201 më shumë.

Megjithatë kjo rënie e numrit të pjesëmarrësve në primare vjen edhe si shkak se shumë prej tyre janë kthyer mbrapsht sepse nuk kanë patur me vete kartën e antarësisë të PD dhe nuk janë lejuar që të votojnë sepse ky ka qenë udhëzimi nga qendra i grupit të punës të rithemelimit të PD. Procesi i votimit u hap në tri qendra që në orën 8:00 të mëngjesit, në Shkodër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në njësinë Bërdicë dhe në njësinë Rrethina.

Qendra e parë ku përfundoi procesi i votimit është ajo e Bërdicës, e dyta në Rrethina dhe e fundit në Shkodër duke qenë se kishte një numër më të madh pjesëmarrësish. Në Bërdicë votuan 324 persona, në Rrethina 420 dhe në Shkodër 840. Procesi i numërimit për të tri qendrat u krye në pallatin e sportit në Shkodër dhe nisi në orën 19:15 duke vijuar deri në orën 22:15 minuta, për tri orë dhe në fund kandidati Bardh Spahia mori numrin më të madh të votave.

Ky proces bëhet për herë të parë nga një parti politike në Shqipëri ku kandidati për bashki zgjidhet nga ana e bazës me votë të fshehtë në një garë reale dhe të fortë mes kandidatëve. Kandidati i Rithemelimit të PD Bardh Spahija dhe Majlinda Angoni në radhët e PS janë dy emrat e zyrtarizuar deri më tani ndërsa pritet tashmë se cili do jetë kandidati i PD-së zyrtare të kryetarit Lulzim Basha.

 

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHKODËR, KANDIDATËT NË “SITËN” E QYTETARËVE
Artikulli tjetërSPAK KËRKON 12 VITE BURG PËR ISH-MINISTRIN E BRENDSHËM, CAKTOHET SEANCA, JA KUR JEPET VENDIMI FINAL PËR SAIMIR TAHIRIN