
6 kandidatë nga partia Aleanca Demokracia e Re sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultojnë më zero vota. Pra, kandidatët Argjend Kurti, Jona Lekaj, Gazmir Mancila, Minir Nejtollari, Sonila Topi dhe Laert Vlashi nuk kanë votuar as veten në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Me të njejtat statistika rezulton edhe Lëvizja Atdheu, ku 5 kandidatë për deputet, nuk i kanë besuar as vizionit të tyre në zgjedhjet e së dielës.
Kandidatët Redi Mustaj, Eris Uka, Vigan Karkini, Spartak Laçka dhe Mirdan Sala renditen të fundit në listë, me zero vota. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare, ka në listën përfundimtare të rezultatit zgjedhor 4 kandidatë pa asnjë votë dhe këta janë Ermal Noka, Albert Hibroj, Kasiani Kazheli dhe Armandi Narta. Ndërkohë, Ezmir Durrësi dhe Ervisa Myftari po ashtu, nuk kanë votuar veten në zgjedhjet e së dielës, duke bërë që të renditen të fundit në listë për mungesë votash.
Nisur nga këto të dhëna, lindin dyshime mbi kandidatët fiktiv të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kandidatë që nuk I kanë besuar as vizionin e tyre për të ardhmen e vendit, sigurisht që nuk kanë arritur të përçojnë tek komuniteti vullnetin dhe dëshirën për të ndryshuar realitetin në të cilin ndodhet vendi ynë.