Shqetësuese vijon të mbetet situata e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 në qarkun Shkodër. Në 24 orët e fundit u konfirmuan 22 raste të reja pozitive me koronavirus, 8 më pak se një ditë më parë dhe 2 viktima. Vatrat e infeksionit u zgjeruan me 16 raste në bashkinë Shkodër, 2 në Vau Dejës dhe 1 në bashkinë Pukë.

Të infektuar aktivë janë më shumë se 900 qytetarë, prej të cilëve pjesa më e madhe banorë të bashkisë Shkodër. Prej fillimit të muajit prill në qarkun Shkodër janë shënuar 13 viktima nga koroanvirusi, pjesa më e madhe të moshuar të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Në spitalin rajonal të Shkodrës janë të shtruar 10 pacietë, prej të cilëve 4 pacientë janë të shtruar në reanimacion ndërsa 6 të tjerë janë pacientë të shtruar në repartin infektiv. Çdo ditë në Shkodër vijon hetimi epidemiologjik I rasteve të reja të prekura nga koronavirusi. Pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor kryhen çdo ditë më dhjetëra testime.

Ndërsa është rreth 16 mijë numri I dozave të vaksinës të COVID-19 të shpërndara deri tani tek qytetarët shkodranë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes.