Sërish është konfirmuar një tjetër shifër e lartë e numrit të personave të infektuar me COVID-19 në qarkun Shkodër. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 40 raste të reja, prej të cilave 28 në bashkinë Shkodër, 7 në Vau Dejës dhe 5 raste janë konfirmuar në bashkinë Malësi e Madhe.

Të infektuar aktivë në nivel qarku janë më shumë se 1200 persona, kryesisht në bashkinë Shkodër. Në spitalin rajonal të Shkodrës janë të shtruar 17 pacientë të infektuar me COVID-19. Gjashtë pacientë janë të shtruar në reanimacion ndërsa 11 të tjerë në repartin infektiv.Qarku Shkodër prej fillimit të vitit, renditet I pesti në të gjithë vendin për nga numri I lartë I rasteve aktive.

Pavarësisht numrit të lartë të rasteve aktive, ndërgjegjësimi I qytetarëve duket në nivele të ulëta ku shumica prej tyre nuk ruajnë distancën fizike dhe nuk mbajnë të vendosur maskën mbrojtëse gjatë lëvizjes në rrugë.

Një nga situatat më problematike mbetet ajo e krijuar në ambjentet e jashtme të spitalit rajonal të Shkodrës ku dhjetëra qytetarë presin çdo ditë për të marrë shërbimet e ndryshme shëndetësore.

Prej fillimit të muajit mars, në nivel qarku janë konfirmuar afërsisht një mijë raste të reja me COVID-19. Kjo shifër është e ngjashme edhe me atë të muajit mars të këtij viti, ku u konfirmuan më shumë se 900 raste të reja me koronavirus nga Ministria e Shëndetësisë.