Ndërkohë që prej disa ditësh në disa qarqe të vendit ka patur një rënie te ndjeshme të numrit të personave të infektuar me COVID-19, në qarkun Shkodër situata e krijuar vijon të mbetet problematike.

Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 47 raste të reja, prej të cilave 25 në bashkinë Shkodër, 10 në bashkinë Malësi e Madhe, 7 në Vau Dejës, 3 në Pukë dhe 2 raste u shënuan në bashkinë Fushë – Arrëz. Të infektuar aktivë në nivel qarku janë më shumë se 1200 persona.

Në spitalin rajonal të Shkodrës janë të shtruar 15 pacientë, 2 më shumë se një ditë më parë. Në repartin infektiv janë të shtruar 8 pacientë ndërsa në reanimacion 7 të tjerë. Shkodra renditet në vendin e pestë për nga numri I rasteve aktive.

Gjatë javës që lamë pas ka patur një numër të lartë të personave të infektuar me koronavirus, po ashtu edhe fataliteteve të shënuara si shkak I infektimit. Gjatë javës së fundit, fatmirësisht ka patur një rënie të numrit të pacientëve të shtruar në spital.

Pavarësisht apelit të institucioneve në lidhje me ruajtjen e higjienës personale dhe distancimit fizik, duket se mungon ndërgjegjësimi nga ana e qytetarëve në lidhje me përhapjen e mëtejshme të këtij infektimi.