Janë mbushur 5 vite që nga dita kur Papa Françesku shpalli të lumë Imzot Vinçenc Prennushin dhe 38 martirët e tjerë të kishës katolike në Shqipëri. Në përkujtim të kësaj date të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, kisha katolike në Shkodër kremtoi procesionin që e quajti rruga e mundimeve nga kisha “Shën Kjara” pranë ish degës, vend që në komunizëm ka shërbyer si burg deri tek varrezat e Rrmajit një tjetër dëshmi e tmerrit komunist ku u pushkatuan martirët e parë.

Fillimisht arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra pas lutjeve u fut në muzeun e dëshmisë dhe kujtesës, një ish vend persekucioni gjatë diktaturës për të vijuar procesionin.

Kjo ecje si përkujtim për gjakun e derdhur për fe dhe atdhe të martirëve vijoi deri tek varrezat katolike të Rrmajit. Pas lutjeve për shpirtin e martirëve, Padër Gazmend Tinaj tha se po flitet shumë për pastrimin në Shqipëri nga e kaluara por nuk ka një pastrim përmes dashurisë dhe faljes.

Procesioni dhe lutjet përveç 5 vjetorit të lumturimit të martirëve nga Vatikani përkon edhe me 31 vjetorin e meshës së parë tek varrezat e Rrmajit në 4 nëntorin e 1990 nga dom Simon Jubani.

5 vjetori i lumturimit të 38 Martirve të Kishes Katolike në Shqipëri dhe 31 vjetorit të meshës së parë të kremtuar nga d Simon Jubani janë dy ngjarje që na kujtojnë besnikërië ndaj Krishtit, kulturën shqiptare të skalitur në popullin besnik dhe trimërinë për të mbrojtur lirinë e të menduarit ndryshe bën të ditur kisha katolike e Shkodrës.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHKODËR, “I PAKUPTUESHËM TMERRI NDAJ MARTIRËVE”
Artikulli tjetërSHKODËR, PREZANTOHET KODI I STANDARDEVE PËR SHOQATAT