E rëndë mbetet situata e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 në qarkun Shkodër. Në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 50 raste të reja dhe 2 viktima.

Vatrat e infeksionit u zgjeruan me 45 raste në bashkinë Shkodër, 4 në Vau Dejës dhe 1 rast në bashkinë Malësi e Madhe. Të infektuar aktivë janë më shumë se 1200 persona në nivel qarku, prej të cilëve pjesa më e madhe të përqëndruar në bashkinë Shkodër.

Në spitalin rajonal të shtruar janë 12 pacientë të infektuar me COVID-19. Gjashtë prej tyre janë të shtruar në reanimacion dhe gjashtë të tjerë në repartin infektiv. Ne repartin e urgjencës janë trajtuar në 24 orët e fundit 46 raste, prej të cilave 17 të dyshuara si të infektuara me COVID-19.

Nga ana tjetër, aktualisht janë të infektuar 18 mësues dhe 7 nxënës. Nga ISHSH, gjatë datës 19.03.2021 në Qarkun Shkodër:janë inspektuar brenda planit 8 subjekte: 5 kopshte, 2 shkolla dhe 1 konvikt. Në subjektet arsimore zbatoheshin protokollet e masave anticovid.

Në zbatim të urdhërit nr.28 dt.21.10.2020, u këshilluan rreth 180 qytetarë. Grupet e inspektorëve konstatuan shumë persona që nuk mbanin maskat dhe u këshilluan për vendosjen e tyre.

Pas njoftimit të rasteve nga NJVKSH, inspektorët e ISHSH kontaktuan me personat tampon pozitiv në Qarkun Shkodër, ku 29 personat e kontaktuar ishin të izoluar në banesën e tyre duke zbatuar rregullat e karantinimit.