Nuk njeh përmiresim situata e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 në qarkun Shkodër. Në 24 orët e fundit u konfirmuan 50 raste të reja dhe një viktimë në bashkinë Pukë. Vatrat e infeksionit u zgjeruan me 46 raste në bashkinë Shkodër dhe nga 2 raste në bashkitë Vau Dejës dhe Malësi e Madhe.

Në spitalin rajonal të Shkodrës në 24 orët e fundit, janë trajtuar në repartin e urgjencës 70 qytetarë prej të cilëve 16 raste të dyshuara si të infektuara me COVID-19. Në këtë spital janë të shtruar 24 pacientë të infektuar me COVID-19, prej të cilëve 12 në reanimacion, një më shumë se dje dhe 12 të tjerë në repartin infektiv.

Në bashkinë Shkodër janë aktualisht të infektuar aktivë 15 mësues dhe 8 nxënës. Ndërsa në bashkinë Malësi e Madhe nuk ka asnjë rast të mësuesve të infektuar me koronavirus.

Gjatë ditës se sotme në Qarkun Shkodër:janë inspektuar brenda planit 1 kopësht dhe 4 shkolla, është riinspektuar 1 shkollë, janë monitoruar me google form 1 kopësht dhe 2 shkolla. Në subjektet arsimore zbatoheshin protokollet e masave anticovid.

Në zbatim të urdhërit për mabjtjen me detyrim të maskave,u këshilluan rreth 190 qytetarë. Pas njoftimit të rasteve nga NJVKSH, inspektorët e ISHSH kontaktuan me personat tampon pozitiv në qarkun Shkodër, ku 29 personat e kontaktuar ishin të izoluar në banesën e tyre duke zbatuar rregullat e karantinimit.