Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka kritikuar aksionin e policisë vendore të Shkodrës në plazhin e Velipojës për shezllonet. Kryebashkiakja deklaroi se ky aksion nuk mund të bëhet në këtë moment kur vetëm 4 subjekte janë paisur me lejet përfundimtare për shfrytëzimin e hapësirës publike në plazhin e Velipojës për vendosjen e shezlloneve.

Kryebashkiakja Ademi e quan korruptiv menaxhimin që po bën ministria e turizmit apo agjencia e bregdetit lidhur me plazhet në gjithë vendin ndërsa thotë se për katër vite me radhë kur plazhet menaxhoheshin nga pushteti vendor nuk kishte asnjë ngjarje të rëndë.

Një ditë më parë policia e shtetit nisi një aksion në të gjitha plazhet e Shqipërisë për verifikimin në terren për gjithë subjektet që shfrytëzojnë hapësirat publike për shezllone në plazhe, aksion ky që u nxit pas ngjarjes së rëndë në plazhin e Velipojës me katër të vrarë dhe dy të plagosur.