Ky është një aksident i frikshëm i ndodhur në orët e mbrëmjes të 8 tetorit në qytetin e Shkodrës. Një mjet ka marrë përpara tavolinat e disa lokaleve si dhe shtylla ndriçimi. Aksidenti ndodhi në fillim të lagjes Gjuhadol e cila lidhet me fundin e pedonales “Kolë Idromeno”. Siç shihet nga pamjet e kamerave të sigurisë mjeti futet plotësisht në kundërvajtje dhe merr përpara pjesën e jashtme të lokaleve dhe shtyllat e ndriçimit.

Dëmi ekonomik i shkaktuar është i konsiderueshëm ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz sepse në atë moment nuk ndodhej asnjë person sepse në të kundërt pasojat mund të kishin qenë fatale.

Këto lloj aksidentesh nga drejtues mjetesh të papërgjegjshëm janë kthyer në një shqetësim serioz në qytetin e Shkodrës duke shtuar frikën tek qytetarët edhe në qendrat e qytetit apo zonë muzeale si Gjuhadoli por edhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në shërbimet publike si në këtë rast.

Shtyllat e ndriçimit në pedonale tashmë janë bërë të zakonshme sa i përket dëmtimeve duke krijuar kështu një kosto jo të pakët për bashkinë Shkodër. Edhe në zona të tjera të qytetit dëmet në shërbimet publike janë shpesh here prezente duke bërë që të kthehet në një fenomen problematik i cili kërkon një zgjidhje.

Shpesh herë drejtues të pushtetit vendor kanë kërkuar që të identifikojnë autorët e këtyre rasteve që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme ekonomike si dhe arrestimin e tyre në mënyrë që ky problem të minimizohet sado pak.

Në këtë rast janë kamerat e sigurisë që mund ta ndihmojnë policinë por në shumë raste të tjera dëmtimet e ngjashme mbeten pa autor për shkak se policia nuk arrin që të identifikojë për të bërë më pas arrestimin e tyre.