Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin Shkodër-Hani Hotit. Një 49 vjeçar me inicialet A.Sh po lëvizte me një biçikletë kur është goditur nga një mjet tip Fiat. 49 vjeçari fillimisht ka mbetur i plagosur rëndë. I aksidentuari është dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës me një ambulancë të shërbimit kombëtar të urgjencës por si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën duke mos arritur që të shpëtojë.

Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se drejtuesi i mjetit shtetasi Gj.Gj 26 vjeç është drejtuesi i mjetit tip Fiat i cili është shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë lidhur me ngjarjen e ndodhur ndërsa mësohet se është efektiv policie. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të një dite më parë në aksin rrugor Shkodër-Koplik në fshatin Shtoj i Ri. Shkak i këtij aksidenti me pasojë vdekjen mësohet se është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se grupi hetimor po kryen veprimet nën drejtimin e prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër për sqarimin e rrethanave të plota të këtij aksidenti. Aksidentet në Shkodër vazhdojnë që të jenë një shqetësim dhe kjo për faktin se një pjesë e drejtuesve të mjeteve janë të papërgjegjshëm duke shkaktuar ngjarje të tilla. Nga këto aksidente në Shkodër numri i viktimave por edhe i të plagosurve rëndë është i konsiderueshëm.

Tashmë edhe akset që cilësohen si njollë e zezë për shkak të aksidenteve të shumta që ndodhin është duke u shtuar gjë e cila shton edhe rrezikun e sigurisë në rrugë për qytetarët. Sipas raportimeve aksidentet rrugore vijnë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, përdorimi i celularit, konsumimi i alkoolit apo edhe të tjera.

Shpesh herë policia vendore e Shkodrës ka shtuar numrin e gjobave duke ndëshkuar drejtuesit e mjeteve por sërish numri i aksidenteve mbetet i lartë nga mosndërgjegjësimi i shoferëve. Viti 2020 rezultoi me 20% më pak aksidente por kjo duke qenë se për disa muaj vendi ishte i izoluar në karantinë ndërsa këtë vit ekspertët thonë se numri i aksidenteve mund të rritet sërish.