Ambasada Austriake në Shqipëri me rastin e Javëve të Evropës, prezantoi edhe në qytetin e Shkodrës ekspozitën me fotografi “Arkitektura në Salzburg – nga Baroku në kohën moderne”

Ekspozita u hap në mjediset e Qendrës Rinore ARKA, në Shkodër. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Austrisë në Shqipëri Christian Steiner i cili tha se shqiptarët e njohin historinë e një qyteti si Salzburgu i cili është i lidhur ngusht me kulturën dhe të bukurën jo vetëm në dekadat e kaluara por edhe në vitet e fundit ku qyteti i Salzburgut vijon të jetë fitues i çmimeve sa i përket arkitekturës.

Koordinatori i qendrës rinore “Arka” Marjan Lukani falenderoi ambasadën e Austrisë për këtë ekspozitë të sjellë në Shkodër ndërsa tha se shpreson që të hapen sa më shumë aktivitetet kulturore.

Për shkak të numrit shumë të kufizuar të pjesëmarrësve si shkak i COVID-19, ceremonia e kësaj ekspozite ishte edhe online ndërsa do të vijojë të jetë e hapur në mjediset e qendrës rinore Arka deri më datën 23 maj të këtij viti.