Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim ka mbërritur në qytetin e Shkodrës në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale. Ambasadorja e SHBA-ve fillimisht u ndal në një takim me drejtuesin politik të PD Qarku Shkodër Helidon Bushati i cili është edhe kryesues i listës së kandidatëve për deputet në atë forcë politike. Ambasadorja Kim mbërriti në shtabin e PD në orën 10:30.

Ambasadorja e SHBA qëndroi për rreth 45 minuta në takimin kokë më kokë me kryesuesin e listës së PD Helidon Bushati. Temë qëndrore e diskutimeve ka qenë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit por edhe situata në të cilën ndodhet qarku Shkodër në prag të këtyre zgjedhjeve dhe ajo çfarë pritet që të ndodh si dhe problemet me të cilat përballet opozita që lidhen që nga shitblerja e votës dhe deri tek kriminaliteti.

Pas takimit në shtabin e PD, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara mbërriti në një takim me kryesuesen e listës së kandidatëve për deputet Edona Bilali.

Edhe në selinë e PS ambasadorja zhvilloi një takim të shkurtër duke dhënë mesazhet e saj. Më pas ambasadorja Kim është ndalur në pedonalen “Kolë Idromeno” duke konsumuar një kafe ndërsa nuk hezitoi të bëjë disa fotografi me qytetarë të rastësishëm.

Në fund ambasadorja Kim zhvilloi një vizitë edhe në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”, ku shpenzoi më shumë kohë në këtë vizitë të saj në Shkodër duke u njohur me historinë dhe kulturën që përcjell ky muze.