Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme të Policisë së Shkodrës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, ku së fundmi është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Target Group”.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë këtij aksioni u zbulua një ambient i marrë me qira në lagjen “Manush Alimani”, i cili shërbente si bazë për fshehjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike për shitje.
Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, N. F., 18 vjeç dhe K. Z., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër. Ata u kapën nga shërbimet e Policisë teksa posedonin doza të dyshuara të kokainës dhe Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se i shpërndanin kryesisht tek moshat e reja.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi L. A., 23 vjeç, i cili dyshohet se kishte marrë me qira ambientin ku përpunohej dhe magazinohej lënda narkotike.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme dozash kokaine dhe Cannabis Sativa, qindra qese farmaceutike për paketim, 5 peshore elektronike, 2 telefona celularë, një armë të ftohtë (shkop metalik), një motomjet që përdorej për shpërndarje, si dhe një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprimet e mëtejshme hetimore.

Artikulli paraprakPREZANTOHET PROJEKTI “SMART” NË UNIVERSITETIN USH
Artikulli tjetërZBULOHEN BAZA LOJËRASH FATI NË LAÇ DHE MILOT