Policia Vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetas të dyshuar për shitje të farave të kanabisit dhe kultivimin dhe trafikim të lëndëve narkotike. Në total janë sekuestruar nga efektivët 4000 mijë fara kanabis sative si dhe 140 doza me lëndë narkotike. Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike duke finalizuar operacionin policor të koduar “Gruda”.

Policia thotë se është goditur një rast i tentativës për shitje të farave të kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre, gjithashtu, gjatë këtij operacioni është goditur edhe një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.

Policia në njoftimin e saj bën të ditur se nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirë organizuar, u bë i mundur finalizimi i operacionit “Gruda”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit me inicialet J. M, 43 vjeç dhe K. K, 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në mjediset e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, në Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës cannabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. K, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me lëndë cannabis sativa dhe një sasi farash të bimës cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza lëndë narkotike cannabis sativa.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro. Të arrestuarit janë të dyshuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.