Policia Vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetas për lëndë narkotike. Në njoftimin e saj policia bën të ditur se është kapur dhe vënë në pranga një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, si dhe është arrestuar personi tjetër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”,

në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim me inicialet M. H, 32 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe si dhe u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale ”Përkrahja e autorit të krimit”, i shtetasit me inicialet F. M, 22 vjeç, banues në Kamicë, Malësi Madhe. Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër,

duke qarkulluar së bashku në një automjet. Shtetasi me inicialet M. H, në vitin 2018, së bashku me shtetasin me inicialet E. H, i arrestuar njëherë në 2019-ën, në vendin e quajtur “Syri i Kripës”, në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, kanë tentuar të trafikonin nëpërmjet liqenit të Shkodrës, një sasi prej 93 kg bimë narkotike të llojit marijuanë.

Policia në njoftimin e saj shton se nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, për shtetasin me inicialet M. H, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.05.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Ndërkohë policia vijon hetimet lidhur me këtë rast por edhe për rastet të tjera të trafikimit të bimëve narkotike dhe kultivimit të tyre. Pak ditë më parë efektivët arrestuan dy shtetas të cilët u kapën me 4 mijë fara të cannabis sativa me qëllim kultivimin në zonat e thella të Dukagjinit. Kjo është periudha kur bimët narkotike transportohen drejt zonave të ndryshme për t’i kultivuar ndaj policia ka shtuar kontrollet e saj për të goditur çdo rast të mundshëm.

Artikulli paraprakSHKODËR, 2 RASTE TË REJA, 6 PACIENTË TË SHTRUAR NË SPITAL
Artikulli tjetërPD SHKODËR TAKIM PAS ZGJEDHJEVE: TË RIPËRSËRITEN