Policia vendore e Shkodrës ka finalizuar një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër u krye në bashkëpunim me Interpol Tirana. Në këtë mënyrë është kapur dhe vënë në pranga një 23-vjeçar i kërkuar në Itali për vjedhje me armë.

Në njoftimin e saj policia vendore e Shkodrës bën të ditur se në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes edhe Interpol Tirana, u organizua puna për kapjen e një 23-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas lokalizimit të vendodhjes së personit të kërkuar, forcat e posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në afërsi të lagjes “Vojo Kushi”, Shkodër, bënë kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit me inicialet B. Th, 23 vjeç, banues në Plan të zonës së Dukagjinit në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Vercelit, Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër-arresti për veprën penale “Vjedhje me armë në rrethana rënduese”. Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 20 vjet burg, parashikuar nga legjislacioni penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

23 vjeçari dyshohet se ka kryer vjedhje me armë në shtetin italian por nuk është arrestuar duke i shpëtuar policisë ndërsa ka arritur që të vijë në Shqipëri. Pas lëshimit të urdhër arrestit, Interpoli e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 23 vjeçarin. Ndërkohë policia vendore e Shkodrës është vënë në lëvizje dhe pas informacioneve në rrugë operative për vendndodhjen e shtetasit me inicialet B.TH ka arritur që të bëjë arrestimin e tij me qëllim ekstradimin për llogari të drejtësisë italiane. Ndërkohë edhe më përpara policia e Shkodrës ka arrestua disa shtetas të cilët kanë qenë nën hetim ose të dënuar nga gjykatat e shteteve të ndryshme europaine duke i ekstraduar drejt atyre vendeve.