Asambleja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka shprehur përsëri qëndrimin kundër vendosjes së notës mesatare për pranimin e studentëve në universitetet publike. Kjo asamble ashtu si më përpara përmes një shkresë të gjatë i kërkon ministrisë së arsimit që të rishikojë procedurat e pranimit për studentët. Ja se çfarë thuhet në një pjesë të këtij qëndrimi të Asamblesë së Universitetit të Shkodrës:

“Të gjitha të dhënat tregojnë se vendosja e këtij kriteri të notës mesatare ka qenë arbitrar dhe i pakonsultuar me universitetet dhe si rezultat në vend të cilësisë së pretenduar ka sjellë: mohim të së drejtës për arsimim të qindra të rinjve shqiptarë. Pra suksesi i kësaj reforme rezulton të jetë vënia në rrezik e ekzistencës së degëve të klasifikuara si “Mësuesi” por edhe i degëve të tjera.

Nëse kjo reformë çon drejt vënies në rrezik të programeve të studimit identitare dhe kombëtare të universiteteve publike, kjo do të jetë reforma më antikombëtare në arsimin e lartë, që nga hapja e universitetit të parë shqiptar. Ndaj ka ardhur koha që qeveria t’ua rikthejë të drejtën e përvetësuar universiteteve publike dhe private. Kjo e drejtë është një nga elementet bazë të autonomisë universitare, për më tepër e zbatuar në të gjitha universitetet evropiane.

Nisur nga dështimi i këtij kriteri dhe gjendja e krijuar në universitetet publike, Asambleja e Përgjithshme e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që nota mesatare të konsiderohet si pjesë e autonomisë universitare”.

Asambleja e Universitetit të Shkodrës thotë se vendosja e notës mesatare është përjashtuese.

“Vendosja e notës mesatare është përjashtuese dhe ka lënë jashtë të drejtës për arsimin e lartë një numër shumë të madh nxënësish, të cilët u janë drejtuar shteteve të tjera fqinje, apo evropiane. Këta studentë(të përjashtuar tek ne atje ku studiojnë dalin me rezultate të mira dhe shumë të mira.

Të mos harrojmë, se shumë shpejt këtyre studentëve u bashkangjiten edhe vëllezërit e motrat e tyre, bashkë me familjarët, duke e përkeqësuar edhe më tej plagën e madhe të braktisjes së vendit, e cila po çon në shpopullimin e Shqipërisë Veriore, por edhe të krejt atdheut. Vendosja e kriterit të notës mesatare nuk zbatohet në Evropë pasi studentët testohen nga universitetet me konkurse publike, dhe as në vendet e Rajonit.

Të njëjtët studentë shkojnë në Kosovë, marrin një diplomë për mësuesi, kthehen në Shqipëri dhe punësohen si mësues nëpërmjet ekuivalentimit të diplomës. Nëse mbarojnë me nota të larta, mund të punësohen edhe lektorë në universitete, edhe pse tek ne nga kriteri i notës mesatare ata janë përjashtuar”.