Qendra e qytetit të Shkodrës është një pikë referimi e përditshme për të gjithë ata autobusë që i drejtohen qytetit, ndërsa vendqëndrim është kthyer pjesa përreth stadiumit Loro Boriçi.
Një situatë kjo aspak normale për një qytet me resurse të mëdha tutistike, ku autobusët që i afrohen qendrës vetëm e prishin imazhin, por ndërkohë krijojnë edhe trafik të rënduar dhe besdisje për drejtuesit e tjerë të automjeteve. Shoferët e këtyre autobusëve ndërqytetas thonë jashtë kamerave se bashkia Shkodër nuk ka marrë asnjë iniciativë për gjetjen e një terminali, por gjithashtu ata shpjegojnë se hapësirat e vëna në dispozicion është e pamundur të përdoren, kjo si shkak i largësisë që kanë me qendrën e qytetit. Sipas tyre, gjetja e një pike referimi do të ishte në të mirë të të gjitha palëve duke larguar atë amullinë e përditshme që krijohet në qytet. Ata që preken më tepër nga kjo situatë e paqartë janë qytetarët e Shkodrës, të cilët çdo ditë përballen me trafikun e rënduar të mëngjeseve si pasojë e hyrjes së këtyre mjeteve transporti publik deri në qendër të qytetit.