Një nga problemet shqetësuese për të gjithë shoferët e autobusëve të qytetit të transportit urban në Shkodër vijon të mbetet bllokimi i stacioneve të ndalimit nga automjetet e tjera të cilat parkohen në kundërvajtje. Qytetarë të papërgjegjshëm parkojnë makinat e tyre në pikat e ndalimit të autobusëve duke sjellë kështu vështirësi për shoferët.

Gjatë ditës ndalesa në këto stacione për shoferët e autobusëve kthehet në një shqetësim pasi nuk kanë një vend për t’u ndalur për të marrë qytetarët që presin. Ndalimi i autobusëve jo në vendin e përcaktuar për shkak se janë të zëna nga mjetet e tjera të parkuara në kundërvajtje në të shumtën e rasteve bëhet shkas edhe i bllokimit të trafikut në rrugët kryesore të qytetit aq më tepër në këtë periudhë kur trafiku në qytet sa vjen e rëndohet.

Shpesh herë policia rrugore e Shkodrës ka gjobitur mjetet që parkohen në stacionet e autobusëve në zona të ndryshme në qytetin e Shkodrës por sërish ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve vijon të jetë i ulët.

Një pjesë e konsiderueshme e vendndalimeve për autobusët e transportit urban janë të zëna në orare të ndryshme gjatë ditës. Kjo situatë ka mbetur e njëjtë prej vitesh dhe nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare pavarësisht gjobave të shpeshta të policisë rrugore në Shkodër.