
Disa banorë të rajonit 2 kanë zhvilluar një protestë pasi pretendojnë se bashkia Shkodër ka devijuar një projekt për rikualifikim urban që ka nisur një ditë më parë. Sipas banorëve projekti ka përfshirë rikualifikimin e gjithë kësaj zone por aty ka dalë një problem sepse për një pjesë të tokës një banor pretendon pronësinë dhe tashmë u është thënë se gjysma e oborrit përpara dy pallateve do të asfaltohet dhe gjysma tjetër jo.
Banorët kërkojnë nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi që të shkojë në terren dhe ta shohë nga afër këtë problem që ata kanë.
Sipas burimeve pranë bashkisë Shkodër shtetasi që ka shtëpinë ngjitur me pallatin disponon çertifikatë pronësie gjë e cila e bën të vështirë ndërhyrjen e bashkisë tek ajo pjesë e tokës që është me pronar.
Në këtë mënyrë pritet për t’u parë se si do zgjidhet kjo situatë, nëse projekti do të ndryshojë për ta bërë investimin vetëm në njërën pjesë të tokës apo do të bëhet i plotë dhe pronari të shpronësohet.






