Drejtori drejtorisë të Zhvillimit dhe Kontrollit të Terrorit në bashkinë Shkodër Kreshnik Kopliku që në fillim të muajit janar zyrtarisht nuk është më në këtë pozicion që e mbajti për pak vite. Shkak është bërë largimi i tij drejt shtetit të Kanadasë bashkë me familje duke bërë që të japë dorëheqjen nga ai pozicion i rëndësishëm që mbante në bashkinë Shkodër.

Pavarësisht largimit të tij që në janar por edhe informimit të mëparshëm për këtë largim të mundshëm bashkia Shkodër ende nuk e ka gjetur zëvendësuesn e tij. Në këtë mënyrë një prej drejtorive më të rëndësishme të bashkisë Shkodër siç është ajo e Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit tashmë është pa një drejtor. Janë ende të paqarta arsyet përse kryetarja e bashkisë Voltana Ademi nuk ka emëruar një tjetër drejtues në këtë drejtori duke e lënë ende bosh atë pozicion.

Natyrshëm që roli i drejtorit është tejet i rëndësishëm por ka kaluar një muaj dhe ende nuk është zëvendësuar. Ndër të tjera kjo mund të sjellë ngadalsi në punën e drejtorisë së Zhvillimit të Kontrollit të Territorit në bashkinë Shkodër por edhe probleme të tjera sa i përket efiçencës së punës por edhe në raport me kërkesat që mund të kenë qytetarët.

Ndërkohë sa i përket institucioneve rajonale pak ditë më parë është larguar drejtorja e kadastrës Elsa Tanushi ndërsa është zëvendësuar nga Ilir Dibra i cili ka qenë më përpara drejtor i hipotekës së Shkodrës dhe tashmë do jetë drejtues i kadastrës që ka në përbërje hipotekën dhe ALUIZNIN. Ky nuk është i vetmi ndryshim sepse në drejtoritë rajonale priten edhe ndryshime të tjera.