Klubi i Futbollit Vllaznia kishte 6 korrikun si afatin e fundit për të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve këshillin e ri mbikqyrës të Vllaznisë që u zgjodh nga asambleja e Vllaznia sh.a në mbledhjen e 29 majit të këtij viti. Zyrtarisht bordi i ri drejtues i përbërë nga emra si Myzafer Bushi, Fatjon Nurja, Hysen Zmijani, Agron Okaj dhe Gledis Çeliku u dorëzua pranë bashkisë Shkodër në 4 qershor. Klubi Vllaznia kishte një afat 30 ditor për ta regjistruar bordin e ri në QKB.

Ky afat tashmë ka mbaruar që nga 4 korriku dhe klubi Vllaznia edhe në rrugë zyrtare nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta regjistruar bordin e ri. Në këtë mënyrë Vllaznia edhe zyrtarisht tashmë nuk e njeh këshillin e ri mbikqyrës që u zgjodh në mbledhjen e 29 majit të këtij viti. Në fakt ky vendim i klubit Vllaznia dhe bashkisë Shkodër për të mos e njohur bordin e ri ishte i pritshëm por kjo është edhe zyrtare.

Këshilli bashkiak i Shkodrës që ka edhe funksionin e asamblesë të Vllaznia sh.a duke qenë se bordit të mëparshëm i kishte mbaruar mandati që në dhjetor të 2018-ës dhe bashkia nuk kishte sjellë emrat e rinj atëherë vendosi që të propozojë vetë emrat për bordin e ri dhe t’i miratojë ato.

Mirëpo kjo histori nuk mbyllet me kaq sepse ligjërisht është administrator i Vllaznisë ai që ka të drejtën e regjistrimit në QKB të këshillit të ri mbikqyrës ose mund t’ia delegojë juristëve. Një veprim i tillë nuk është kryer duke bërë që bordi i ri të jetë nul duke mos patur asnjë forcë juridike dhe administrative për shkak se bashkia dhe klubi Vllaznia nuk e njohin.

Këshilli Bashkiak i është drejtuar me një shkresë zyrtare Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për shkak se për përzgjedhjen e bordit janë dy ligje në fuqi duke krijuar një përplasje mes këshillit bashkiak dhe bashkisë Shkodër.

Agjencia nga ana e saj ka sjellë përgjigje zyrtare por duke mos dhënë asnjë interpretim dhe për rrjedhojë asnjë zgjidhje për këtë çështje. Në këtë situatë e vetmja rrugë që mund të ndjekë Asambleja e Vllaznia sh.a në këtë rast është Gjykata Administrative e cila mund të shprehet nëse bordin e Vllaznia sh.a ligjërisht duhet ta miratojë asambleja apo bashkia Shkodër.

Artikulli paraprakMURRIZI: JAM VIKTIMË E DY MANDATEVE TË VJEDHURA
Artikulli tjetërPD KUNDËR HAPJES SË LISTAVE: S’MUND TË BËHET TANI, TA VENDOSË POPULLI ME REFERENDUM