Njoftimi i plotë i policisë

Si rezultat i kontrolleve është evidentuar dhe goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Vihet në pranga një 22-vjeçar që punonte si banakier në lokal dhe shpallet në kërkim pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme.

Në vijim të kontrolle të ushtruara nga shërbimet e Policisë në qytetin e Shkodrës, për goditjen e aktivitetit të lojërave të fatit, u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim, shtetasi A. Xh., 22 vjeç, banues në Shkodër.

Nga kontrolli i ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit N. Xh., ku ky shtetas punonte si banakier, Policia gjeti në celularin e tij aplikacione për vendosjen e ndeshjeve sportive dhe biseda në të cilat ka pranuar porosi për baste sportive, si dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit N. Xh., 30 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim.

Vijon puna për kapjen e shtetasit N. Xh. dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.