
Besimtarët e krishterë kanë kremtuar sot Ditën e Ujit të Bekuar, e njohur ndryshe si Epifania, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar.
Në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër, mesha e shenjtë u kremtua nga Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine. Gjatë ceremonisë, ai kreu ritin e Bekimit të Madh të Ujit, duke theksuar domethënien shpirtërore të kësaj dite për mbarë besimtarët.
Dita e Ujit të Bekuar përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit nga Gjon Pagëzori në ujërat e lumit Jordan, moment që simbolizon shfaqjen e Trinisë së Shenjtë – Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Një nga tiparet kryesore të kësaj feste është bekimi i ujit, ritual që në traditën e krishterë përfaqëson pastrimin dhe ndriçimin shpirtëror të besimtarëve.






