Biznesi i vogël dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë në Shkodër janë kundër procesit të fiskalizimit për shkak të rritjes së kostove që ka ky process që pritet të vihet në zbatim për të gjitha bizneset.

Kryetari i sindikatës në Shkodër Albert Tukaj shprehet se ka takuar drejtorin rajonal të tatimeve në Shkodër Sidrit Istrefi duke i kërkuar atij por edhe ministrisë së financave që biznesi i vogël me xhiro vjetore deri në 20 milion lekë të vjetër të mos përfshihet në fiskalizim si dhe për këtë kategori fiskalizimi të bëhet pas 5 vitesh.

Fiqeret Kaca dhe Bedri Nikshiqi janë dy shitës në tregun e rrobave në Zdrale në qytetin e Shkodrës të cilët thonë se po të shtohen edhe pagesat për fiskalizimin që priten të jenë një kosto prej rreth 300-400 euro në vit atëherë biznesi i vogël në Shkodër shkon drejt falimentit.

Në ditët në vazhdim pritet që të ketë të tjera takime për të gjetur një zgjidhje për procesin e fiskalizimit lidhur me situatën tek biznesi i vogël.