
Në 24 orët e fundit qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshje të borës në zonat malore kryesisht dhe reshje të dendura shiu në qytete. Në këtë mënyrë reshjet e borës kanë përfshirë aksin Bogë-Qafë Thore, rrugën Shkodër-Pukë dhe aksin Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe. Momentalisht rruga në Qafë Thore është e bllokuar për shkak të orteqeve që kanë rënë pranë tuneleve. Në këto dy akset e tjera Vermosh dhe Pukë mjetet aktualisht mund të kalojnë por ajo që rekomandohet është përdorimi i gomave dimërore në mjetet motorike si dhe përdorimi i zinxhirëve nëse është e nevojshme dhe drejtuesit duhet të tregojnë kujdes për shkak se në të tre këto akse ka prezencë bore që shkon deri në 50 centimetër.
Në një njoftim Autoriteti Rrugor Shqiptar i Rajonit të Veriut bëri të ditur se është punuar gjatë gjithë kohës me fadroma për të mbajtur hapur aksin e Qafë Thores që gjithmonë ka qenë ndër më problematikët por për momentin mbetet e vështirë për shkak të orteqeve gjë e cila e bën të pakalueshëm atë aks. Po ashtu mjetet kanë punuar edhe në rrugën Tamarë-Vermosh. Sa i përket bashkisë Pukë përveç reshjeve të borës që atje shkojnë deri në 12 centimetër në 24 orët e fundit, probleme ka patur edhe me reshjet e shiut më përpara. Kështu aksi Gjegjan e Qelëz sipas bashkisë Pukë ka patur dëmtime kryesisht nga rrëshqitjet e inerteve ndërsa janë dëmtuar çatitë e dy shkollave të Gjegjanit si pasojë e erërave të forta. Po ashtu probleme vijon njoftimin bashkia Pukë ka patur thuajse në gjitha akset rurale të njësisë Qelëz kryesisht nga rënia e gurëve, akse këto që lidhen me qytetin e Pukës. Prurjet e shumta ujore bëjnë të pakalueshme momentalisht urën e Ukthit, Buzhalës dhe Levrushkut në Qelëz dhe rrugën e re të Kabashit në njësinë Rrapë. Rrëshqitjet kanë sjellë probleme edhe në aksin rural Bushat – Midhe në Qelëz ndërsa bashkia Pukë bën apel që shoferët të kenë kujdes edhe në aksin nacional Pukë-Shkodër pasi në disa pika ka rrëshqitje gurësh mbi trase dhe ky aks rrugor është pa mirëmbajtje pasi kompanisë që kishte mirmbajtjen e këtij aksi i ka mbaruar kontrata, teksa ARRSH është në fazë tenderimi për mirmbajtjen e akseve nacionale që përshkojnë Pukën.
Nisur nga kjo situatë, bashkia ka kërkuar nga ARRSH marjen e masave, nisur dhe nga fakti se gjatë natës ka patur edhe reshje bore. Bashkia Pukë bën apel që të ndalet qarkullimi në përroin e Lum-Priftit, Ukthit, akset Dedaj-Ukth, Qelëz-Buzhalë dhe përroin e Rrvishtit si dhe ndalohet qarkullimi në rrugën e Gjegjan-Sherraj, lumin Gomina që lidh rrugën e re me shkollën Kabash dhe përroin e madh të fshatit Pla në njësinë Luf-Qerret pasi prurjet janë të mëdha.