
Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, forcat operacionale kanë vijuar ndërhyrjet në disa vatra zjarri në Qarkun e Shkodrës, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së flakëve.
Në Bardhaj–Myselim, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, ndërsa mjetet janë pozicionuar pranë banesave në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.
Në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës ka bërë të mundur mbrojtjen e banesave dhe vendosjen e zjarrit nën kontroll. Ndërkohë, është ndërhyrë edhe në një vatër në Shtoj të Ri.
Në Vau Dejës, zjarri në Mnelë të Madhe vijon aktiv, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Forcat janë të angazhuara në terren për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.
Në Pukë, situata paraqitet më e vështirë. Zjarri në Malin e Tërbunit vijon aktiv dhe era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Vija e zjarrit shtrihet në mbi 10 kilometra në kurorën pyjore, ndërsa aktualisht nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona vijon të mbahet nën monitorim. Ndërsa në Iballë–Fierzë, zjarri vijon aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndërhyrjen nga toka.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar MZSH, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile.


