Në mjediset e bibliotekës publike të qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” është zhvilluar një aktivitet me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në kuadër të ditës ndërkombëtare të librit.

Në këtë aktivitet nxënësit diskutuan për lidhjen e tyre me librin si dhe për librat e preferuar. Drejtori i bibliotekës “Marlin Barleti”, Maxhid Cungu thekson se vihet re një rritje e numrit të fëmijëve që frekuentojnë bibliotekën.

Për punonjësen sociale të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, Xhulja Bebani aktivitete të tilla duhen zhvilluar shpesh në mënyrë që fëmijët të lidhen më shumë me librin.

Edhe vetë nxënësit pranojnë që lidhja me librin është zbehur ndërsa i bëjnë thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të lexojnë më shumë libra.

Vitet e fundit të rinjtë janë më të fokusuar pas pajisjeve teknologjike dhe rrjeteve sociale duke i larguar ata nga leximi i librave.