Një ditë më parë ish-deputeti i PD Bardh Spahia akuzoi spitalin rajonal të Shkodrës se i ka kërkuar dorëheqjen 25 specialistëve që punojnë si laborantë në spitalin e Shkodrës.

Drejtori i spitalit Ardian Dajti hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke sqaruar se laboratoret do të jepen me koncension. Drejtori Dajti nuk mohoi se një pjesë e laborantëve mund të mbesin të papunë në rast se koncensionari nuk pranon që të rilidh kontratat me këta punonjës.

Drejtori i spitalit të Shkodrës sqaron se janë 3 operatorë që sipas kontratës që do të lidhet do të mundësojnë disa shërbime një prej të cilave nuk është ofruar prej 24 vitesh.

Të gjithë punonjësit e laborantë në spitalin rajonal të Shkodrës janë njoftuar për këtë lëvizje ndërsa do t’i nënshtrohen disa intervistave pasi laboratori të kalojë në varësi të koncensionarit për të parë mundësinë e kontratave të reja të punës.