Në Shkodër vijon të rritet numri i personave të infektuar nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmaur edhe dy raste të reja, duke bërë që numri total i të prekurve në këtë bashki të jetë 407 persona ndër të cilët aktualisht pozitiv janë 42 prej tyre.

Deri më tani, pothuaj pesë muaj pas përhapjes së pandemisë në vendin tonë, Shkodra vijon të renditet e treta për nga qarku me numrin më të lartë të të prekurve nga infeksioni, pas Tiranës dhe Durrësit. Sipas informacioneve të bëra publike nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, numri i personave të hospitalizuar në Tiranë është dy, ndërsa sipas të dhënave që ka bërë publike Ministria bëhet fjalë për pesë persona.

Kjo është hera e dytë që nuk kemi një përputhje sa i takon shifrave të personave të prekur nga COVID-19 në qarkun Shkodër. Sipas Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, numri i viktimave në bashkinë Shkodër është 31, pra më i lartë se bilanci që ka bërë publik Ministria për të gjithë qarkun e veriut, ku janë shënuar sipas tyre 24 viktima.

Ndërkohë pritet të kemi një sqarim nga institucionet përgjegjëse në Shkodër. Nga ana tjetër, gjatë datës 01.08.2020 në Qarkun Shkodër janë monitoruar nga grupi takse-force rreth 20 subjekte prej te cileve:10 bar-kafe, 1 pasticeri, 2 furra buke, 1 market, 2 pika pagese, 1 dyqan veshjesh, 1 parukeri dhe 2 farmaci. Pjesa më e madhe e subjekteve janë gjetur mbyllur për shkak të festës së Bajramit. Subjektet e hapura zbatonin protokollet sipas aktiviteteve përkatëse.