Një aksident ka ndodhur në qytetin e Shkodrës mbrëmjen e kaluar. Dy mjete janë përplasur me njëra tjetrën rreth orës 18:00. Ngjarja ka ndodhur tek rrethrrotullimi pranë unazës, në fillim të rrugës së varrezave katolike. Nga kjo përplasje mësohet se janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve. Menjëherë janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës i cili është në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti ndërsa sipas burimeve të dy drejtuesit janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa kanë pësuar dëmtime të lehta në trup.

Pas aksidentit të ndodhur në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë. Grupi i ekspertëve ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit të ndodhur. Nga hetimet paraprake dyshohet se ky aksident ka ardhur si shkak i mosreskeptimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Përplasja ka ndodhur para derës hyrëse të një banese por në moment nuk ka qenë askush duke kaluar sepse mund të kishte patur pasoja fatale. Aksidentet në Shkodër vazhdojnë që të jenë një shqetësim dhe kjo për faktin se një pjesë e drejtuesve të mjeteve janë të papërgjegjshëm duke shkaktuar ngjarje të tilla.

Nga këto aksidente në Shkodër numri i viktimave por edhe i të plagosurve rëndë është i konsiderueshëm. Tashmë edhe akset që cilësohen si njollë e zezë për shkak të aksidenteve të shumta që ndodhin është duke u shtuar gjë e cila shton edhe rrezikun e sigurisë në rrugë për qytetarët. Sipas raportimeve aksidentet rrugore vijnë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, përdorimi i celularit, konsumimi i alkoolit apo edhe të tjera.

Shpesh herë policia vendore e Shkodrës ka shtuar numrin e gjobave duke ndëshkuar drejtuesit e mjeteve por sërish numri i aksidenteve mbetet i lartë nga mosndërgjegjësimi i shoferëve. Viti 2020 rezultoi me 20% më pak aksidente por kjo duke qenë se për disa muaj vendi ishte i izoluar në karantinë ndërsa këtë vit ekspertët thonë se numri i aksidenteve mund të rritet sërish.