Në dy vitet e fundit është dyfishuar numri i ankesave të paraqitura në zyrën Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në Shkodër. Përgjegjësja e kësaj zyre Filomena Bujarja shprehet se pavarësisht rritjes së numrit ka shumë raste të tjera të cilat qytetarët nuk vijnë për t’i denoncuar.

Rastet të cilat kanë gjetur zgjidhje nga Zyra për Mbrojtjen e Diskriminimit kanë ndikuar tek qytetarët e tjerë duke i nxitur ata që të denoncojnë problemet e tyre.

Pjesa më e madhe e rasteve të diskriminimit kanë qënë për shkak të bindjeve politike, aftësive të kufizuara apo dhe arsimimit.

Pavarësisht seancave informuese të shpeshta që zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi bën me qëllim informimin për shërbimin që ofrojnë sërish qytetarët nuk janë aq të ndërgjegjësuar për të denoncuar rastet me të cilat përballen.