Një pakujdesi e 80 vjeçares Liza Vujoshi e cila ka harruar sobën e gatimit të ndezur ka bërë që banesa ku jetonte bashkë me nipin, mbesën dhe nusen e saj të kapet nga flakët. Ngjarja ndodhi në një pallat në afërsi të ish kryqëzimit të degës në orët e para të mëngjesit të sotëm.

80 vjeçarja nga paniku në atë moment në vend që të dalë nga dera e dhomës për të ikur jashtë dhe për t’i shpëtuar zjarrit, gabimisht ka dalë në balkonin e apartamentit të saj duke u bllokuar aty. Flakët pasi kanë përfshirë fillimisht divanin e dhomës janë përhapur me shpejtësi dhe e moshuara e ka patur të pamundur që të rikthehet në dhomë dhe të dalë jashtë duke mbetur në balkon.

Aty 80 vjeçarja ka marrë plagë të rënda në shpinë, duar dhe këmbë duke qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë janë lajmëruar shërbimi zjarrëfikës të cilet kanë mbërritur në vendngjarje por për shkak të ngushticës në atë zonë dhe mjeteve të tjera të parkuara poshtë pallatit ka qenë e vështirë ndërhyrja e tyre duke sjellë edhe disa vonesa. Në çastet e para një ndihmesë kanë dhenë edhe banorët duke u munduar që të shuajnë zjarrin dhe të shpëtojnë të moshuarën.

Pas disa tentativave zjarri është vënë nën kontroll dhe e moshuara me një ambulancë të shërbimit kombëtar të urgjencës është dërguar menjëherë drejt Tiranës për mjekim më të specilizuar. Sipas burimeve shtetasja Liza Vujoshi ndodhet në gjendje të rëndë pasi ka pësuar djegie të shkallës së parë në trup. Tre anëtarët e tjerë të familjes kanë arritur të dalin me shpejtësi dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Zjarret nga pakujdesia vijojnë të jenë një shqetësim në Shkodër.

 

Artikulli paraprakBASHKIA SHKODËR MARRËVESHJE ME MINISTRINË E DREJTËSISË
Artikulli tjetërTEPE, BANORËT DHE BASHKIA NË DILEMË PËR PASTRIMIN