
Shkodra do të jetë sërish mikpritëse e kampionatit ndërkombëtar të basketbollit 3X3, i cili do të zhvillohet nga 30-korriku deri më 2-gusht. Ky është edicioni i 11-të i turneut, ndërsa për të pestën herë rradhazi aktiviteti organizohet në qytetin e Shkodrës, duke mbledhur sportistë dhe ekipe nga vende të ndryshme. Një prej organizatorëve të këtij eventi, Roni Gjeçaj, u shpreh se edhe këtë vit pritet një pjesëmarrje e lartë dhe një nivel i mirë garash. Sipas tij, risia më e madhe e këtij edicioni është përfshirja e konkurrimit në kategorinë e femrave, një hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe promovimin e basketbollit 3X3 në vend.
Gjeçaj tregoi edhe detaje të tjera se si pritet të zhvillohen ndeshjet, ndërsa tha se këtë vit nga interesi i lartë pritet të shtohet edhe numri i tribunave të vendosura përreth.
Turneu pritet të sjellë për katër ditë rradhazi spektakël sportiv dhe atmosferë festive, duke e kthyer Shkodrën në një nga qendrat më të rëndësishme të basketbollit 3X3 në rajon. Ndërkohë, dy ditët finale të këtij edicioni do të transmetohen drejtpërsëdrejti në Star Plus TV.






