Policia vendore e Shkodës nuk ka ende asnjë të dyshuar për vendosjen e sasisë së lëndës eksploziv e llojit C4 prej rreth 200 gramësh poshtë makinës të administratorit të Vllaznisë Suad Lici. Efektivët kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të të gjithë stadiumit “Loro Boriçi” duke qenë se ngjarja ndodhi ngjitur me stadiumin por në asnjë prej kamerave nuk shfaqen autorët që kanë vendosur sasinë e lëndës eksploziv C4.

Ndërkohë janë sekuestruar edhe kamerat e subjekteve të tjera aty afër por është e pamundur për të dalluar autorët në momentin e vendosjes së eksplozivit. Po ashtu policia nuk ka asnjë të shoqëruar deri më tani si persona që mund të kenë dijeni lidhur me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në Shkodër.

Të vetmit që shfaqen në kamerat e sigurisë janë punonjësit e stadiumit duke hyrë dhe dalë në stadium por që nuk kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje. Nga ana tjetër edhe vetë administrator i Vllaznisë Suad Lici ka deklaruar ashtu si në media edhe në polici se nuk ka asnjë dijeni se kush mund të jenë autorët e vendosjes së eksplozivit apo edhe porositësit.

I vetmi dyshim ose bindje e Licit është se vendosja e eksplozivit C4 mund të jetë për shkak të detyrës së tij si administrator i Vllaznisë por nuk e ka idenë se cilët mund të jenë autorët. Administratori Lici edhe më përpara ka patur probleme të rënda me kërcënime, presione e deri tek armët por ka preferuar që të mos i denoncojë.

Patjetër që ka një listë të atyre që janë të pakënaqur dhe që e kanë kërcënuar disa herë por është e vështirë për të për ta cilësuar si autor të dyshuar. Forcat Xhenio një ditë më parë pasi erdhën nga Tirana fillimisht çaktivizuan sasinë e lëndës eksploziv C4 fitili i të cilës është ndezur por është shuar ende pa shpërthyer sepse në të kundërt dëmi do të ishte i

konsiderueshëm duke marrë parasysh se kanë qenë afro 200 gram e mbështjellë me natriban në formë artizanale. Policia e Shkodrës deri më tani nuk ka një pistë konkrete dhe as të dyshuar por efektivët vazhdojnë punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje që tronditi qytetin e Shkodrës dhe më gjërë.