
Piktori Sidi Kanani ka hapur ekspozitën e tij “Rravgim” në Galerinë e Arteve Shkodër. Kjo ekspozitë është një pruarje domethënëse dhe më e avancuar me një kërkim disi më personal ose siç preferon ta quajë “Rravgim”.
Drejtori i Galerisë së Arteve në Shkodër Fatmir Juka thotë se kjo ekspozitë është edhe një përjetim personal i piktorit në përditshmërinë tonë dhe përballjen me betonin dhe paqartësi të tjera që na rrethojnë duke e cilësuar një art ndryshe që i mungon Shkodrës.
Sidi Kanani ka marrë pjesë në shumë ekspozita në Shkodër dhe Tiranë ndërsa është vlerësuar edhe me disa çmime. Në fokus të punës së tij artistike janë aspekti i përditshmërisë. Duke përdorur ngjyra të reduktuara dhe imazhe të rralla, ai krijon një atmosferë shqetësuese.
Pikturat e tij krijojnë një tension kohor mes të shkuarës dhe të tashmes, ku mund të shohim një ndjenjë nostalgjie për rrënojat post-industriale, duke bërë të qarta premtimet e rreme të kohëve siç janë edhe punimet e ekspozitës së tij të titulluar “Rravgim”.